Producenti dhe reperi GBMC (Gentian Bajrami) ka publikuar një reagim të ashpër në rrjetet sociale, ku hedh akuza ndaj ish-bashkëpunëtorit të tij, Noizy (Rigels Rajku), duke pretenduar se është tradhtuar pas shumë vitesh bashkëpunim.
Në postimin e tij, GBMC shprehet se ka qenë një nga personat që e ka mbështetur Noizyn në hapat e parë të karrierës, duke pretenduar se i ka vënë në dispozicion studion e tij dhe e ka ndihmuar të ndërtojë rrugëtimin artistik.
“I kam lënë çelësat e studios që bën 200 mijë euro. E mora nga stoli, e bëra artist dhe më harroi. Nuk na përmendi në asnjë gjë”, shkruan ai.
Më tej, GBMC pretendon se prej rreth 15 vitesh të drejtat ekskluzive të këngëve janë transferuar te kompania Zig Zag Records, ndërsa akuzon Noizyn se ka ngritur një padi, të cilën ai e cilëson të pabazuar, me synimin për të bllokuar publikimin e këngëve dhe përfitimet nga platformat muzikore.
Për të mbështetur pretendimet e tij, ai ka publikuar edhe një dokument që paraqitet si kërkesë-padi në gjykatë, ku figuron emri i Rigels Rajkut si paditës. Në dokument kërkohet, mes të tjerash, ndalimi i publikimit të disa këngëve të albumit “Pak Më Ndryshe” dhe dëmshpërblim për dëmin e pretenduar.
Në fund të reagimit të tij, GBMC i drejtohet Noizyt me fjalët: “Më lër rehat në hallet e mia. Nuk të kam borxh, vetëm më ke.”, duke shtuar se procesi gjyqësor, sipas tij, ka mbetur pezull prej vitesh.

Deri në këtë moment, Noizy nuk ka reaguar publikisht ndaj akuzave të bëra nga ish-bashkëpunëtori i tij.