Debati mbi screenshot-in që qarkulloi në rrjetet sociale dhe që u mohua nga ministri Arbjan Mazniku si i krijuar me inteligjencë artificiale ka marrë një zhvillim të ri.
Pas reagimit të ministrit, i cili deklaroi se imazhi ishte “FAKE” dhe i prodhuar me AI, ka reaguar edhe një inxhinier i Inteligjencës Artificiale, i identifikuar në Instagram si @enrik.sh1.
Në postimin e tij, ai shprehet se screenshot-i është autentik dhe se klasifikimi i tij si i krijuar me AI lidhet me mënyrën se si janë analizuar elementët e redaktuar të imazhit.
“Si inxhinier Inteligjence Artificiale, ndiej detyrimin të sqaroj të vërtetën rreth këtyre screenshot-eve që po qarkullojnë. Imazhi që shihni është origjinal dhe i vërtetë, ndryshe nga sa pretendon qeveria për të krijuar konfuzion”, shkruan ai.

Sipas tij, arsyeja pse disa aplikacione të detektimit e klasifikojnë imazhin si të fabrikuar është teknike. Ai shpjegon se mbulimi i numrit të telefonit me mjete që përdorin AI krijon anomali në pikselët e fotos, të cilat mund të interpretohen gabimisht nga algoritmet si shenja të një imazhi të gjeneruar me inteligjencë artificiale.
Inxhinieri shton se, nëse hiqet ose izolohet pjesa ku është redaktuar numri i telefonit, pjesa tjetër e screenshot-it rezulton autentike sipas analizës së tij.
Deklaratat e tij vijnë në një moment kur mbi këtë çështje vijon debati publik, ndërsa deri tani nuk ka një verifikim të pavarur që të përcaktojë përfundimisht autenticitetin e materialit.