Reperi shqiptar Marin ka ndarë një nga postimet më personale dhe të dhimbshme me ndjekësit e tij, duke kujtuar djalin që humbi një vit më parë.
Sot do të ishte ditëlindja e parë e vogëlushit dhe artisti ka zgjedhur ta kujtojë përmes një dedikimi emocional në rrjetet sociale.
Marin publikoi vizatimin e një foshnjeje me krahë engjëlli, ndërsa krahas tij shkroi disa fjalë për mungesën që ai dhe bashkëshortja e tij, Alba, ndiejnë çdo ditë.
“Sot do të mbushje 1 vjeç, ushtari im, mbreti im! Sa për ta ditur, nuk ka pasur asnjë ditë që nga largimi yt që nuk të mendojmë dhe nuk e çmojmë atë që ishe dhe je për ne. Deri herën tjetër kur babi dhe mami të të shohin, të duam përgjithmonë, engjëlli im”, shkroi reperi në mesazhin e tij, të publikuar në anglisht.

Fjalët e tij tregojnë se, edhe pse ka kaluar një vit, kujtimi i të birit vazhdon të jetë çdo ditë i pranishëm në familjen e tyre.
Marin e ka mbajtur përgjithësisht jetën private larg vëmendjes publike, por në këtë ditë të veçantë ka zgjedhur të ndajë me ndjekësit dhimbjen dhe dashurinë për djalin e tij.
Reperi dhe Alba janë gjithashtu prindër të tre vajzave.