Në Tiranë po mbahet protesta e 39-ë e qytetarëve, kundër të gjithë klasës politike në vend. Protestuesit u mblodhën në sheshin “Skënderbej” në kryeqytet me pankarta në duar e simbole kombëtare, ku kërkojnë largimin e kryeministrit Edi Rama dhe kryedemokratit Sali Berisha, me thirrjet ‘Rama n’burg, Berisha n’burg’. Më pas protestuesit kanë marshuar drejt Kryeministrisë.
Organizatori Arben Kola ka ashpërsuar retorikën, duke uruar që kryeministri Edi Rama ‘të hidhet nga tarraca e Kryeministrisë’ ditën e nesërme, në ditën e 40-ë të protestës. Kola ka kërkuar nga qytetarët që të bojkotojnë koncertin e këngëtarit Kannye Ëest, që do të zhvillohet pas disa ditësh në Tiranë.
“Vazhdoni të prishni algoritmin dhe bojkotoni Kannye West bashkë me Ramoviçin, i cili është çmendur dhe shpresojmë që shumë shpejtë të hidhet nga tarraca e Kryeministrisë dhe Shqipëria të shpëtojë. Mbase nesër që janë të 40-at ja hamë edhe hallvën dhe të shpëtojmë. Mbase nesër vendos të hidhet ose nga charteri që po vjen nga Turqia, ose nga tarraca e Kryeministrisë. E mira e të mirave ishte siç e bëjnë në shtetet perëndimore ose në Indi, ku digjet trupi dhe hirin t’ja dërgojnë diku, në një kontinent tjetër. Që mos ta kemi hirin e tij, kockat e tij në tokën tonë. Një djall si Rama nuk i duhet vendit tonë as mbi tokë e as nën tokë”-, tha organizatori Arben Kola.