Ish-kryeministri i Shqipërisë, Fatos Nano, është ndarë sot nga jeta në moshën 73-vjeçare. Prej disa javësh ai ndodhej në një prej spitaleve private të Tiranës, nën kujdesin e mjekëve në repartin e reanimacionit, pasi gjendja e tij shëndetësore ishte përkeqësuar ndjeshëm.
Sipas burimeve, Nano ka ndërruar jetë pas një arrestit kardiak, ndërsa më herët ishte kuruar për probleme me frymëmarrjen.
Një nga figurat më të rëndësishme të politikës shqiptare në periudhën postkomuniste, Fatos Nano ka pasur një karrierë plot ulje-ngritje, duke u rikthyer disa herë në skenën politike në momente kyçe për vendin.
Fatos Nano lindi më 16 shtator 1952 në Tiranë dhe u diplomua për ekonomi politike në vitin 1974. Para rënies së regjimit komunist, ai punoi si studiues në Institutin e Studimeve Marksiste-Leniniste, në varësi të Nexhmije Hoxhës.
Në dhjetor të vitit 1990 u emërua sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, më pas zv/kryeministër në qeverinë e Adil Çarçanit, ndërsa në shkurt 1991 Ramiz Alia i besoi postin e kryeministrit, me misionin për të drejtuar tranzicionin drejt demokracisë dhe ekonomisë së tregut.
Pas zgjedhjeve të 31 marsit 1991, Nano mori mandatin e parë si kryeministër, por dha dorëheqjen vetëm pak javë më pas për shkak të grevave që përfshinë vendin.
Megjithatë, merita e tij e padiskutueshme mbetet transformimi i Partisë Socialiste nga një trashëgimi komuniste në një forcë moderne social-demokrate me orientim perëndimor.
Në vitin 1993, Nano u arrestua dhe u dënua me 12 vite burg për “shpërdorim detyre” lidhur me ndihmën italiane, por u lirua pas trazirave të vitit 1997. Vetëm pak muaj pas lirimit, ai udhëhoqi socialistët drejt një fitoreje historike, që i riktheu në pushtet pas pesë vitesh opozitë.
Pas dorëheqjes në shtator 1998, Nano mbeti figura kryesore e PS-së deri në rikthimin e tij si kryeministër në vitin 2002, detyrë që e mbajti deri në humbjen e zgjedhjeve të 2005-ës përballë Sali Berishës.
Pas largimit nga politika, ai jetoi mes Vjenës dhe Tiranës, duke u distancuar përfundimisht nga jeta publike.
Nano ka qenë gjithashtu një nga kandidatët potencialë për President të Republikës në vitet 2007 dhe 2012, por pa arritur ta realizojë këtë ambicie.
Në jetën private, ai pati një martesë 25-vjeçare me Rexhina Nanon, me të cilën ka dy fëmijë, Sokolin dhe Edlirën. Pas ndarjes, në vitin 2002 ai u martua me Xhoana Nanon.
Fatos Nano do të mbahet mend si një figurë liberale brenda së majtës shqiptare, që shndërroi PS-në në një forcë të re progresive dhe që, ndryshe nga shumë politikanë të tranzicionit, zgjodhi të largohej vetë nga politika pas humbjes në vitin 2005.