Një situatë dramatike ka ndodhur pasditen e djeshme në zonën e Levanit të Fierit, ku një zjarr i përmasave të mëdha përfshiu sipërfaqe të konsiderueshme me ullishte, duke rrezikuar edhe banesat dhe bizneset pranë zonës së përfshirë nga flakët.
Sipas gazetarit Neritan Trifoni, dy efektivë të policisë, të cilët u angazhuan për t’u ardhur në ndihmë banorëve në përpjekjet për të vënë nën kontroll flakët që po përhapeshin me shpejtësi, mbetën pa automjetet e tyre personale.
Efektivët i kishin parkuar automjetet në një zonë që e konsideronin të sigurt, përpara se t’u bashkoheshin banorëve për të luftuar me flakët.
Megjithatë, për shkak të erës dhe temperaturave të larta, flakët u përhapën me shpejtësi dhe ndryshuan drejtim, duke përfshirë edhe zonën ku ishin parkuar automjetet. Kur dy efektivët u rikthyen në vendin ku i kishin lënë, gjetën makinat e tyre të shkrumbuara plotësisht.
Zjarri mori përmasa të mëdha gjatë ditës së djeshme, duke djegur sipërfaqe me ullishte dhe duke krijuar momente të vështira për banorët dhe forcat e angazhuara në operacionin për shuarjen e flakëve.