Aksidenti i rëndë i mori jetën gjatë mesnatës së të premtes 31-vjeçarit Marius Kabilo, i cili po lëvizte me motor në aksin Elbasan-Cërrik kur humbi kontrollin e mjetit dhe u përplas me bordurat anësore të rrugës.
Përplasja rezultoi fatale për të riun, pasi 31-vjeçari dha frymën e fundit në vendngjarje. Sipas grupit hetimor dyshimet janë se aksidenti ndodhi për shkak të shpejtësisë përtej normave të lejuara, çka ka shkaktuar dhe humbjen e drejtimit të mjetit nga Mariusi i cili vdiq në vend.
“Më datë 04.09.2026, rreth orës 23:30, në aksin rrugor “Cërrik-Elbasan”, shtetasi M. K., 31 vjeç, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e motomjetit dhe, për pasojë, motomjeti është përplasur me barrierën anësore të rrugës. Si pasojë e përplasjes, shtetasi M. K. ka humbur jetën në vendin e ngjarjes”, njoftoi policia.
Mes lotësh e dhimbjeje të papërshkrueshme, babi Flamuri, mami Lindita e motra Dorisa përcjellin mesditën e sotme për në banesën e fundit djalin e shtëpisë, Mariusin. Ceremonia mortore e të riut do të mbahet sot në orën 11:00, në rrugën Pazhok-Gostimë, në Cërrik.