Një aksident i rëndë rrugor i regjistruar mbrëmjen e sotme në fshatin Llukar të Prishtinës i ka marrë jetën Laurent Krasniqit, influencerit të njohur edhe për pjesëmarrjen e tij në “Big Brother VIP Kosova”.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:20, ndërsa në aksident janë përfshirë një automjet dhe një motoçikletë.
Krasniqi, i cili po udhëtonte me motoçikletë, është dërguar për ndihmë mjekësore në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), por fatkeqësisht nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra. Vdekja e tij është konstatuar nga ekipi mjekësor.
Me rastin po merret njësiti rajonal i trafikut, ndërsa autoritetet po punojnë për të sqaruar rrethanat dhe dinamikën e plotë të aksidentit.
Laurent Krasniqi ishte bërë i njohur për publikun e gjerë edhe përmes eksperiencës së tij në “Big Brother VIP Kosova”, ndërsa ishte aktiv dhe në rrjetet sociale.
Lajmi për ndarjen e tij të papritur nga jeta në një moshë të re ka sjellë reagime dhe trishtim mes njerëzve që e njihnin dhe e ndiqnin.