Screenshot
Debati rreth koncertit të reperit amerikan Kanye West në Shqipëri vazhdon të sjellë reagime të shumta, ndërsa së fundmi ka reaguar edhe Princi Leka.
Përmes një postimi në InstaStory, Princi Leka ka shpërndarë një status të Agron Tufa, i cili kritikon ashpër organizimin e koncertit dhe përdorimin e fondeve publike për këtë event.
Në mesazhin e shpërndarë thuhet se dita e sotme ndan ndërgjegjen qytetare në dy kampe, duke argumentuar se koncerti, i cili sipas deklarimeve të qeverisë u mbështet me 4 milionë euro nga shteti, nuk duhet të ndiqet, madje as me bileta falas.

Koncerti i Kanye West ka ngjallur debat të madh në Shqipëri pas deklaratës së kryeministrit se qeveria ndërhyri me rreth 4 milionë euro për të garantuar zhvillimin e eventit, me argumentin se do të shmangej anulimi i tij dhe se priten përfitime ekonomike nga turizmi dhe vizitorët e huaj.
Nga ana tjetër, vendimi është kundërshtuar nga figura publike, përfaqësues të opozitës dhe aktivistë, të cilët kanë ngritur pikëpyetje mbi përdorimin e parave publike për një koncert privat, si edhe për polemikat që kanë shoqëruar artistin në vitet e fundit.