Pak ditë më parë, më 27 gusht të këtij viti, Policia e Tiranës doli me një njoftim zyrtar ku bëri me dije se falë një hetimi të kryer nga Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik, kishte arritur të godiste një prej skemave mashtruese që dyshohet se ishte përdorur nga një 45-vjeçare për t’u zhvatur para qytetarëve.
Bëhej fjalë për Ina Cakajn, e cila sipas policisë hiqej si punonjëse e administratës shtetërore dhe u premtonte familjeve të prekura nga tërmeti i vitit 2019 në zonën e Fushë-Krujës se do t’i ndihmonte të përfitonin banesa të reja ose dëmshpërblime, kundrejt shumave të konsiderueshme parash.
Por në lidhje me këtë rast, së fundmi JOQ Albania ka publikuar edhe një video-regjistrim audio, ku pretendohet se është pikërisht Cakaj gjatë një bisede me një prej banorëve që ajo dyshohet se po përpiqej ta fuste në “grackë”.
Në regjistrim, gruaja dëgjohet teksa prezantohet si këshilltare e kryeministrit Edi Rama dhe flet për një projekt të cilin e quan “La Mama”, duke pretenduar se bëhej fjalë për një nismë të kryeministrit për familjet e prekura nga tërmeti në Fushë-Krujë.
Sipas asaj që dëgjohet në regjistrimin e publikuar, Cakaj u shpjegon banorëve se kishte marrë përsipër koordinimin e një grupi personash dhe se kishte për detyrë të përzgjidhte familjet që do të përfitonin banesa në zonat e prekura.
Në vijim, ajo u kërkon qytetarëve shumën prej 2 milionë lekësh të vjetra, së bashku me dokumentacionin përkatës, duke pretenduar se pas dorëzimit të parave dhe dokumenteve, brenda 24 orëve do t’u mbërrinte një mesazh nga Këshilli i Ministrave dhe stafi i kryeministrit për marrjen e çelësave të apartamentit.
“Atehëre ky quhet projekti “La Mama”, që do të thotë “nëna ime”. Është një projekt që kryeministri Rama ka bërë për familjet në Fushë-Krujë. Duke parë familjarët dhe abuzimet masive humbje listash të emrash, më kanë thënë më jepni 20 koordinatorë, unë jam këshilltare dhe unë menaxhon koordinatorët tim. Jam këshilltare që kam të drejtën që për çdo qytetet ne të zgjedhim familjet në zonat e prekura. Për të marrë çelësat e pallatit..në momentin që ti dorëzon 2 milionë lekë të vjetra bashkë me dokumentat të vjen mesazhi brenda 24 orëve të vjen mesazhi nga Këshilli i Ministrave dhe stafit të kryeministrit”, dëgjohet të thotë ajo në video.
Sipas asaj që policia bëri me dije më herët dyshohet se kjo shtetase ka qenë pjesë e një skeme mashtrimi përmes së cilës 45-vjeçarja u merrte qytetarëve shuma që varionin nga 1 mijë deri në 10 mijë euro.