Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur së fundmi në kryeqytet, ku një makinë tip “Audi Q5” është vjedhur sa “hap e mbyll sytë”.
Burime bëjnë me dije se lidhur me ngjarjen, efektivët e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Rrugore, kanë arrestuar një shtetas italian i cili dyshohet se ka marrë automjetin dhe është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
Ngjarja ka ndodhur në një rrugë dytësore në Tiranë, ku pronari i automjetit kishte dalë për pak çaste nga makina, duke e lënë atë të ndezur. Në këto momente shtetasi italian ka hipur në “Audi Q5” dhe është larguar menjëherë.
Ai ka përshkuar zonën e Astirit, ndërsa pas tij janë vënë në ndjekje shërbimet e Policisë. Gjatë tentativës për t’u larguar, i dyshuari ka kryer disa manovra të rrezikshme, duke u përplasur edhe me disa automjete. Si pasojë ka mbetur i plagosur edhe një efektiv policie, i cili fatmirësisht nuk ka pësuar dëmtime të rënda.
Pas ndjekjes, policia ka bërë të mundur ndalimin dhe arrestimin e shtetasit italian. Gjatë verifikimeve të kryera pas shoqërimit të tij, dyshohet se ai ka qenë nën efektin e lëndëve narkotike në momentin e ngjarjes.
Policia vijon veprimet për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndërsa materialet procedurale pritet t’i kalojnë Prokurorisë për veprime të mëtejshme.