Këngëtari i muzikës popullore Bledar Hoxhaj ka denoncuar një ngjarje të pakëndshme që, sipas tij, ka ndodhur në Fier pikërisht në një nga ditët më të vështira për familjen e tij.
Hoxhaj ndodhej në ceremoninë mortore të kushëririt të tij të parë, të cilin e konsideronte si vëlla, kur një person dyshohet se është futur në automjetin e tij dhe ka marrë paratë që ndodheshin brenda portofolit.
Sipas rrëfimit të këngëtarit, ngjarja ka ndodhur rreth orës 10:00. Personi është futur në një Audi Q5 ngjyrë gri të errët, ka marrë vetëm paratë dhe e ka lënë portofolin brenda automjetit.
Hoxhaj thotë se momenti është regjistruar nga kamerat e sigurisë dhe se në pamje shihet edhe personi teksa futet në makinë. Sipas tij, pas ngjarjes, i dyshuari është larguar me një Opel ngjyrë gri të hapur.

Këngëtari ka publikuar pamjet në rrjetet sociale dhe u ka bërë apel qytetarëve që mund të njohin personin apo automjetin të kontaktojnë me të. Ai ka bërë të ditur gjithashtu se materialet do t’u dorëzohen organeve përkatëse.
“Në një ditë zie, kur isha duke përcjellë vëllain tim për në banesën e fundit, është shumë e dhimbshme të ndodhë edhe diçka e tillë”, shkruan Hoxhaj.
Ngjarja bëhet edhe më e rëndë për këngëtarin për shkak të momentit në të cilin ka ndodhur, teksa ai dhe familjarët po përballeshin me humbjen e njeriut të tyre të afërt.