Ditën e djeshme, u publikua apeli i një familjeje nga Tirana, e cila kërkonte ndihmën e qytetarëve për gjetjen e 14-vjeçarit Sokol Çitozi. Sipas familjarëve, me të kishin humbur kontaktet që prej paradites dhe nuk kishin asnjë informacion mbi vendndodhjen e tij.
Pak orë pas publikimit të apelit, vetë 14-vjeçari ka kontaktuar redaksinë e JOQ Albania për të sqaruar situatën. Ai ka bërë të ditur se është mirë dhe se nuk i ka ndodhur asgjë, por kishte vendosur të largohej nga shtëpia pas disa konflikteve familjare.
“Jam mirë, thjesht kam ikur nga shtëpia. Familja është në dijeni. Për momentin po rri te halla. Ua kam thënë edhe mamit, edhe babit”, është shprehur Sokoli.
Ai ka treguar se arsyeja e largimit ishte dëshira për t’u distancuar nga tensionet në familje.
“Ika nga shtëpia, thjesht nuk doja të kisha më punë me askënd, as me babin, as me mamin, për disa zënka familjare”, ka deklaruar ai.
Pas këtij komunikimi, rezulton se 14-vjeçari ndodhet në një vend të sigurt dhe familja është informuar për gjendjen dhe vendndodhjen e tij./ JOQ