Screenshot
Modelja Kejvina Kthella është bërë pjesë e një historie të pazakontë, pasi ka denoncuar në polici një rast të dyshuar mashtrimi financiar, ku sipas kallëzimit të saj, një shoqe e afërt i ka marrë 8 mijë euro dhe nuk ia ka kthyer më.
Bëhet fjalë për Anela Osmanin nga Gramshi, ndaj së cilës Prokuroria e Tiranës ka nisur procedim penal për veprën e “Mashtrimit”. Sipas informacionit të publikuar, ngjarja është referuar fillimisht në Policinë e Tiranës në fillim të majit 2026, ndërsa më pas dosja i ka kaluar organit të akuzës për hetime të mëtejshme.
Sipas dëshmisë së dhënë nga Kejvina, shuma prej 8 mijë eurosh ishte kursyer nga të ardhurat e saj ndër vite. Para se të largohej drejt Lezhës për të takuar familjarët, ajo pretendon se ia kishte lënë paratë në ruajtje shoqes së saj, Anela Osmanit, pasi në banesën e saj në Tiranë do të hynte pastruesja.
Por pas kthimit, modelja ka pretenduar se nuk ka mundur të marrë më paratë e saj. Sipas dosjes hetimore, Anela Osmani i ka thënë fillimisht se shuma ishte futur në kasafortë, por më pas ka justifikuar vonesën duke pretenduar se kishte harruar kodin e kasafortës dhe nuk arrinte ta hapte.
Ndërkohë, prokurori i çështjes, Bledar Valikaj, ka kërkuar masën e sigurisë “Detyrim paraqitje” për të dyshuarën, kërkesë që është pranuar edhe nga Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë.
Nga ana tjetër, mbrojtja ligjore e Anela Osmanit ka kundërshtuar akuzën, duke pretenduar se nuk kemi të bëjmë me një vepër penale. Hetimet për rastin vijojnë.