“Humba edhe gruan edhe fëmijën. Ata po shkonin në punë, nuk e di çfarë ndodhi, humba gjithçka” –
Kështu është shprehur mes lotësh dhe dhimbje të madhe në zemër, kryefamiljari i familjes shqiptare, të cilës iu shuan pas një aksidenti tragjik dy anëtarë të saj.
Mes lotësh në sy, shqiptari ka folur për humbjen e paimagjinueshme të gruas dhe djalit të tij, për të cilët, ishin nisur për në punë.
“U ngritën në orën 7:30 për të shkuar në Amfipoli për punë. Në orën 7:50 i telefonova në celular, por nuk ma hapën”, tha ai i tronditur.
Sipas tij, në drejtimin e automjetit ishte djali i tij 21-vjeçar, ndërsa nëna e tij ndodhej në sediljen e pasagjerit.
Babai tha se nuk kishte dijeni për atë që kishte ndodhur deri në momentin kur mbërriti në vendngjarje.
“Nuk e di, nuk kam asnjë ide. Tani i kam humbur të gjitha. Nuk më njoftuan. Diçka më tërhiqte në zemër. Pashë ambulancën dhe zjarrfikësen, i mora në telefon, por asgjë. Kur erdha këtu, çfarë të shihja? I humba të dy”, u shpreh ai mes dhimbjes.
Ai shtoi se ende nuk ishte informuar për shkaqet e aksidentit. “Nuk më thanë asgjë. Për momentin nuk di asgjë”, tha shqiptari.
43-vjeçarja dhe djali i saj 21 vjeç po udhëtonin me makinë mëngjesin e kësaj të premte, ku papritmas rreth orës 07:30, mjeti i tyre u përplas ballë për ballë me një kamion, me të cilin u përplasën fort duke iu marrë jetën në vend.
Teksa rrethanat e sakta të aksidentit po hetohen nga autoritetet vendase të cilat po punojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes, mësohet se ka dhënë dëshminë e tij dhe shoferi i kamionit.
Ky i fundit ka thënë se po ngiste normalisht në korsinë e tij me një shpejtësi prej afërsisht 75-80 km/orë të lejuar në rrugën që po kalonte, kur papritmas vuri re një makinë e cila humbi kontrollin, devijoi dhe përfundoi në korsinë e kundërt duke u përplasur me kamionin.
“Normalisht jam në korsinë time, në 75 deri në 80 kilometra, sepse kaq duhet të shkosh, nuk mund të shkosh më tej dhe papritmas një makinë vjen drejt meje, ka humbur kontrollin nga ana e sipërme, nga Souli i vogël”, tha ai.
Ai tha se u përpoq të lëvizte majtas për të shmangur përplasjen, por pa ia dalë:
“Ka humbur kontrollin, ka shkuar në drejtim të kundërt me mua, po përpiqet të kthejë timonin dhe unë tentova të shkoj majtas që të shpëtoj, nuk e arrita dhe më përplasi dhe ndodhi ajo që ndodhi”, tha shoferi i kamionit.
Familja, me origjinë nga Shqipëria, jetonte në Paleokomi. Mamaja 43 vjeçe dhe djali i saj 21-vjeçar punonin në të njëjtën kompani me seli në plazhin e Ofrynit dhe ishin nisur herët në mëngjes për punë, por fati deshi ndryshe.
Ata pësuan një aksident fatal duke mbyllur sytë përgjithmonë krah njëri-tjetrit e duke lënë pas një dhimbje të pashërueshme për familjen e të afërmit e tyre.