“Tmerri” i bizneseve të Tiranës, është rikthyer sërish. Pasi grabiti pa “iu dridhur qerpiku” 5 mijë euro në exchange-in në zonën e “Vorrit të Bomit”, Kumrike Zika është liruar sërish pas vetëm tri ditësh, duke shpëtuar edhe njëherë vetëm me masën “detyrim paraqitje”.
Ndërkohë disa detajeve të reja kanë dalë në dritë nga burime për mediat, të cilat kanë bërë me dije se prokuroria ka kërkuar ekspertimin e gjendjes mendore të së pandehurës, e cila raportohet se në rrethana të paqarta ka arritur të sigurojë një kartelë mjekësore e cila vërtetonte problemet e saj mendore.
Kujtojmë se më 15 korrik, pre e skemës së Zikës ra një pikë këmbimi valutor dhe transferta parash në zonën e “Varrit të Bamit”, ku ajo ishte punësuar dhe kishte ditën e parë të punës.
Duke qenë se biznesi ishte në kërkim të një punonjëseje, drejtuesit e tij e kishin rekrutuar gruan në fjalë. Zika gjatë gjithë kohës ka qenë e shoqëruar nga një punonjës tjetër, por në një moment të shkurtër, kur ai është shkëputur për disa sekonda, ajo ka kryer vjedhjen.
Ajo ka marrë rreth 5 mijë euro nga arka e biznesit dhe më pas është larguar në rrugicat e lagjes. Sipas të dhënave paraprake, kjo është vjedhja e katërt që i atribuohet Zikës në një periudhë të shkurtër kohore.
Megjithatë, arratia e saj ka zgjatur vetëm pak minuta, pasi biznesi i dëmtuar ka njoftuar policinë. Efektivët kanë arritur ta identifikojnë menjëherë Zikën dhe më pas e kanë arrestuar në zonën e “21 Dhjetorit”.
Po ashtu, bëhet me dije se Kumrie Zika rezulton të jetë një personazh i njohur publik, pasi është shfaqur më herët në televizione të ndryshme si “eksperte punësimi” dhe opinioniste për çështje që lidhen me të drejtat e punonjësve dhe tregun e punës.