Në kohët kur njerëzit punojnë me dy turne, marrin kredi 30-vjeçare dhe sakrifikojnë jetën për të paguar një qira apo për të blerë një apartament të vogël, po shohim gjithnjë e më shumë një fenomen sa absurd aq edhe irritues në rrjetet sociale.
Në postimin e publikuar në Instagram, një vajzë ka hapur një fushatë “GoFundMe” me objektivin për të mbledhur 235 mijë euro për të blerë një shtëpi. Po, për të blerë shtëpi. Jo për një operacion urgjent. Jo për një fëmijë të sëmurë. Jo për një familje që ka humbur gjithçka. Por për të blerë pronë me lekët e të tjerëve.
Aq më e rëndë bëhet situata kur platforma si GoFundMe, që janë krijuar për raste tragjike dhe emergjenca reale, po përdoren për luks personal apo komoditet jetese. Çdo ditë ka familje që luftojnë për jetën e fëmijëve të tyre, njerëz që kërkojnë ndihmë për kimioterapi, për aksidente, për operacione që kushtojnë mijëra euro. Ka prindër që shesin gjithçka për të shpëtuar një njeri të dashur.
Dhe në mes të gjithë kësaj drame reale, dikush kërkon 235 mijë euro për një apartament.
Sigurisht, askush nuk ndalon dikë të kërkojë ndihmë. Por kur ndihma kthehet në mënyrë jetese dhe kur luksin apo rehatinë personale përpiqesh t’ia faturosh publikut, atëherë humbet kuptimi i solidaritetit.
Sepse solidariteti nuk është që publiku të blejë shtëpinë e dikujt që thjesht nuk do të lodhet. Solidariteti është të ndihmosh dikë që po lufton për jetën.
