Raporti i Mimoza Ahmetit me vajzat e saj është kthyer në një nga temat më të komentuara të “Ferma VIP”, sidomos pas mungesës së tyre në pjesën më të madhe të rrugëtimit të poetes në reality show.
Por pas dronit surprizë që mbërriti në fermë dhe emocioneve të forta të Mozës, vajza e saj, Luka, ka reaguar publikisht duke i dalë në mbrojtje nënës dhe duke sqaruar njëherë e mirë raportin që kanë me të.
Në një reagim të gjatë në rrjetet sociale, Luka ka treguar detaje personale për jetën e Mimoza Ahmetit, duke theksuar sakrificat që ajo ka bërë ndër vite për dy vajzat e saj.
“Për mua dhe motrën time ka qenë gjithmonë një mama ideale”, shkruan ajo.
Sipas Lukës, poetja është përballur me vështirësi ekonomike, por pavarësisht kësaj ka bërë çdo sakrificë që vajzat të mos ndjenin mungesa.
“Ne kishim gjithmonë më shumë rroba e tualete se ajo, në shkolla private, pavarësisht problemeve ekonomike dhe nuk dilte fare, e kishim gjithmonë në shtëpi”, shprehet ajo.
Por pjesa që ka marrë më shumë vëmendje në rrjet është deklarata e fortë me të cilën Luka i është përgjigjur komenteve dhe paragjykimeve ndaj nënës së saj.
“Për të gjithë ata që mendojnë se Mimo e ka mendjen tek çunat, duhet të kuptoni që ajo po bën shou dhe nuk është fare karakter i përdalë, përkundrazi ajo vlerëson martesën dhe familjen mbi çdo gjë”, shkruan vajza e poetes.
Luka zbulon gjithashtu se Mimoza Ahmeti ka zgjedhur të mos krijojë një lidhje tjetër prej afro 20 vitesh, duke iu përkushtuar totalisht vajzave të saj.
“Nuk ka marrë dashurinë që meritonte në martesë e prapë ndenji 20 vjet vetëm për mua dhe motrën”, vijon ajo.
Sipas saj, droni që mbërriti në fermë ishte një shenjë dashurie dhe malli për nënën, ndërsa shton se Mimoza “e meriton qiellin plot me drona e parashuta”.
Nga ana tjetër, edhe vetë Moza u emocionua shumë pas surprizës, duke iu drejtuar vajzave me fjalë prekëse:
“Pranoni çmendurinë time. O yjet e mia. Zoti ju ruajt. Ruaj o Zot se unë nuk i ruaj dot”.