Parada e 14-të e Krenarisë është zhvilluar këtë vit nën moton “Bashkë për Familjen”, duke sjellë në qendër mesazhin e solidaritetit, mbështetjes dhe pranimit për komunitetin LGBT+.
Aktivistët kanë theksuar se slogani i këtij edicioni synon të përcjellë idenë se askush nuk duhet të mbetet vetëm, sidomos në një kohë kur sipas tyre janë shtuar rastet e diskriminimit, fyerjeve dhe paragjykimeve ndaj komunitetit.
Në marshimin e zhvilluar morën pjesë dhjetëra qytetarë, aktivistë dhe mbështetës të kauzës, ndërsa të pranishëm ishin edhe përfaqësues të trupit diplomatik në Shqipëri. Mes tyre u panë ambasadori i Bashkimit Europian, si edhe ambasadorët e Francës, Spanjës, Kanadasë dhe vendeve të tjera, të cilët shprehën mbështetjen për të drejtat dhe barazinë.
Atmosfera gjatë paradës u shoqërua me pankarta, flamuj shumëngjyrësh dhe thirrje për më shumë tolerancë e respekt në shoqëri. Organizatorët apeluan për një shoqëri më gjithëpërfshirëse, ku çdo individ të ndihet i pranuar dhe i sigurt pavarësisht orientimit seksual apo identitetit gjinor.