Screenshot
Egli Tako ka bërë një nga rrëfimet e saj më personale në “Grida Duma Podcast”, ku ka folur hapur për eksperiencën në “Big Brother VIP”, mënyrën si e sheh sot dashurinë, marrëdhëniet dhe jetën pas përfundimit të formatit.
Ish-banorja u shpreh se askush nuk mund ta kuptojë realisht çfarë ndodh brenda shtëpisë së BBVIP nëse nuk e ka përjetuar vetë.
“Kur hyn aty nuk e di nëse jeta vazhdon jashtë”, tha Egli, duke shtuar se gjatë qëndrimit në shtëpi i kishte qëndruar besnike partnerit të saj, edhe pse ishte e vetëdijshme për gjykimet që mund të vinin nga publiku.
Gjatë bisedës, ajo ndau edhe mendimet e saj për dashurinë dhe marrëdhëniet në ditët e sotme. Sipas Eglit, njerëzit po investojnë gjithnjë e më pak kohë dhe ndjenja në njëri-tjetrin, ndërsa shumë lidhje ndikohen nga materializmi dhe dëshira për të impresionuar me luks.
“Vajza duhet të jetë princesha në një marrëdhënie, jo mashkulli. Këtë duhet ta pëlqejë edhe partneri, sepse e bën më burrë”, u shpreh ajo.
Egli zbuloi gjithashtu se ka ndryshuar edhe raportin me trupin e saj. Ajo tha se ka hequr dorë nga fiziku shumë muskuloz që kishte ndërtuar në palestër, pasi ndihet më mirë me pamjen që ka sot.
“Më pëlqen trupi që kam tani, më i hollë dhe më femëror”, u shpreh këngëtarja.
Sa i përket jetës sentimentale, Egli pranoi se i mungon të ketë një partner, veçanërisht në fundjavë, por theksoi se nuk do të pranonte kurrë një lidhje që nuk e bën të lumtur.