Robert Ndrenika ka reaguar pas sulmeve dhe akuzave që i janë bërë prej ditës së djeshme, kur u shfaq në gjyqin e Erion Veliajt, duke e puthur këtë të fundit, madje duke shfaqur gatishmërinë për të bërë burgun në vend të tij.
“Po pse pra reagojnë kështu?! Hë, ma thuaj ti! Njeriu i di vetë gjërat e tij. E kam djalë të adoptuar!
Ia njoh jetën mirë dhe ma njeh jetën mirë. E kam si djalin tim”, thotë aktori Robert Ndrenika i kontaktuar me telefon nga Report TV.
I bindur se këtë do ta bënte sërish për Veliajn, që e vlerëson shumë si njeri dhe kryebashkiak, Ndrenika thotë se vendimin e mori aty për aty, siç do të bënte si për anëtarin e familjes.
“Më lajmëruan njerëz të afërt të Erionit se ishte seanca dhe më pyetën nëse doja të shkoja. Shkova pa u menduar dy herë”, tregon Ndrenika.
“E kam bir për shpirt. E njoh dhe e vlerësoj, ia njoh jetën dhe ma njeh edhe ai timen. Nëse do të ketë sërish nevojë, prapë do të jem aty”, thotë ai.
Sipas aktorit, lidhjet njerëzore nuk kufizohen vetëm te familja biologjike.
“Njeriu nuk ka të afërm vetëm prindërit, fëmijët apo motrën e vëllanë. Ka edhe njerëz që i zgjedh vetë rrugës dhe i bëhen të afërt”, thotë Robert Ndrenika.
Jo vetëm si “bir për shpirt” por kreut të Bashkisë Tiranës ia njeh një meritë shumë të madhe. Njeriu që kaloi dekada në skenë, thotë se me projektin për teatrin e ri në kryeqytet, Erion Veliaj po realizon një ëndërr të madhe, jo vetëm të tij por të gjithë një brezi të artë të artistëve, që ai bën pjesë.
“Veç të tjerash, Erioni realizoi një ëndërr të madhe timen dhe të shumë artistëve: një teatër të madh, të bukur dhe modern në qendër të Tiranës, që shpejt do të jetë gati”, thekson Ndrenika.