Një episod i rëndë dhune ka tronditur fshatin Arst, në territorin e bashkisë Fushë-Arrëz, ku një çift bashkëshortësh është sulmuar brenda banesës së tyre.
Mësohet se persona ende të paidentifikuar kanë hyrë në shtëpinë e Skënder dhe Bardhe Nikës, duke i goditur në mënyrë brutale. Si pasojë, të dy kanë marrë plagë të rënda dhe fraktura në disa pjesë të trupit, përfshirë duart dhe këmbët.
Hetimet paraprake po shqyrtojnë mundësinë që sulmi të ketë lidhje me një kallëzim të mëhershëm të bërë nga familja Nika pranë policisë, lidhur me një rast të kultivimit të lëndëve narkotike në zonë.
Pak javë më parë, pranë banesës së çiftit, autoritetet zbuluan rreth 15 mijë bimë kanabisi. Sipas dyshimeve, parcela i përkiste një personi të shpallur në kërkim, P. Delia, si dhe dy djemve të tij.
Policia është angazhuar në zbardhjen e plotë të ngjarjes, ndërsa grupet hetimore po punojnë për identifikimin e autorëve dhe sqarimin e motiveve që çuan në këtë akt të rëndë dhune.