Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me incidentin e rëndë që ndodhi, më 30 maj, gjatë protestës kundër projektit në Zvërnec, ku punonjësit e shoqërisë private të sigurisë së kantierit ‘Major Security’ goditën me grusht dhe tërhoqën zvarrë njërin prej protestuesve.
Kreu i qeverisë ka përshëndetur Policinë e Shtetit për reagimin, ndërsa i ka cilësuar rojet e sigurisë së kompanisë private “Major Security”, ‘bandë muskujsh pa tru’. Rama shprehet se nuk do të ketë tolerancë për uniformat blu që cënojnë besimin e publikut, duke iu referuar hetimit të nisur ndaj Policisë së Vlorës dhe pezullimit nga detyra të drejtorit vendor të saj, Elidon Çela. Nga ana tjetër sa i përket ndërtimit nga kompania “Zvërnec South Adriatic Development” dhe projektit, Rama njofton se do të flasë nesër në orën 10:00.
Edi Rama: Nesër, është radha ime të flas për një projekt të jashtëzakonshëm për Shqipërinë, i cili ka qenë në proces për disa vite tani dhe nuk ka absolutisht asnjë lidhje me disa gënjeshtra të mëdha që kanë qarkulluar ditët e fundit. Ndërkohë, përgëzoj udhëheqjen e Policisë së Shtetit për reagimin e tyre të shpejtë dhe të saktë, qoftë ndaj asaj bande muskujsh pa tru me statusin e rojeve private të sigurisë, apo ndaj drejtuesve vendorë të policisë së Vlorës. Qasja e re me tolerancë zero ndaj çdo uniforme blu që minon besimin e publikut është e duhura. Për vetë projektin dhe të vërtetat dhe të pavërtetat që e rrethojnë, më shumë nesër në orën 10:00. Live për të gjitha palët e interesuara, sigurisht.

Lidhur me ndërtimet kryeministri Edi Rama gjatë prezantimit të Albanian Digital Solution Sh.A. Rama ka sqaruar se shteti nuk ka falur asgjë, pasi ajo tokë nuk i përket shtetit, por ka qenë historikisht pronë private. Kreu i qeverisë u shpreh më 29 maj se investitorët që po hyjnë në këtë biznes janë seriozë dhe marrëveshjet i kanë bërë drejtpërdrejt me pronarët privatë.
Policia ka arrestuar Geraldo Bibën, rojen private të Major Security, ndërsa për dy punonjësit e tjerë të kompanisë së sigurisë ka nisur një hetim. Po ashtu Drejtoria e Përgjithshme e Policisë ka nisur një hetim disiplinor për zinxhirin komandues të Policisë së Vlorës. Kreu i policisë së shtetit Skënder Hitaj ka pezulluar nga detyra drejtorin e policisë së Vlorës, Elidon Çela, pas një raportimi të gabuar ku u tha se banori hyri me forcë në perimetrin e rrethuar të kantierit. Ndërkohë kompania “Zvërnec South Adriatic Development”, e cila po ndërton resortin në zonën e mbrojtur në Vlorë ka shkëputur kontratën me shoqërinë e sigurisë ‘Major Security’.