Autor: Ardi Malaj
Protesta nuk është pronë e askujt.
Prandaj është e të gjithëve.
Pas pyetjeve të shumta nga qytetarë në lidhje me formimin e kuvendeve apo formave të tjera të organizimit, po jap këtë sqarim. Theksoj se distancohem qartësisht nga çdo grupim apo organizim që pretendon të përfaqësojë protestën. Unë jam thjesht një protestues mes mijëra protestuesve të tjerë për çështje parimore të ngritura tashmë që kanë të bëjnë me Atdheun tonë.
Besoj se askush nuk duhet të marrë përsipër të përfaqësojë protestën pa një mandat të qartë nga vetë qytetarët.
Protestat qytetare që po zhvillohen në Shqipëri janë një forcë e madhe, por edhe një sfidë po aq e madhe: të mbetet protesta e qytetarëve. Historia ka treguar se sa herë lind një lëvizje e fortë, gjithmonë do të ketë individë apo grupe që do të përpiqen ta përfaqësojnë ose ta përdorin për interesa të tjera. Pikërisht për këtë arsye duhet maturi dhe transparencë.
Nëse protesta ka nevojë për organizim, kjo nuk do të thotë se ka nevojë për një organizim kuvendi apo për “pronarë”.
Unë do të sugjeroja, sipas mendimit tim personal, një model më të hapur dhe më funksional që do të ishte krijimi i një rrjeti koordinatorësh në çdo qytet, lagje dhe fshat. Roli i tyre do të ishte organizimi, komunikimi dhe mbarëvajtja e protestës, ndërsa vendimmarrja do të mbetej te qytetarët dhe objektivat e përbashkëta. Koordinatorët nuk do të merrnin vendime në emër të qytetarëve, por vetëm do të ndihmonin koordinimin e tyre. Kështu protesta ruan karakterin qytetar, transparencën dhe shmang keqkuptimet për përfaqësimin.
Protesta nuk ka nevojë për pronarë. Ajo ka nevojë për organizim, transparencë dhe besim.
Kur interesi qytetar dhe objektivat e përbashkëta vendosen mbi individin dhe ambiciet personale, vetëm atëherë kjo protestë mund të kthehet në një lëvizje popullore që do të sjellë ndryshimin e vërtetë në Shqipëri. Ky mbetet një reflektim personal, jo një deklaratë në emër të protestës apo të ndonjë strukture.
Protesta është e qytetarëve dhe vetëm qytetarët mund t’i japin asaj legjitimitet. Çdo rol tjetër duhet të jetë në shërbim të protestës, jo mbi të.
Zëri i qytetarëve nuk duhet të përvetësohet. Ai duhet të mbrohet, të dëgjohet dhe të respektohet.