Screenshot
Armir Shahini, këngëtari dhe finalisti i “Big Brother VIP Albania 5”, është rikthyer te eksperienca e tij në reality show, duke folur këtë herë për marrëdhëniet me ish-banorët dhe çiftet që u krijuan gjatë këtij edicioni.
I ftuar në emisionin “She’s On Air”, Miri fillimisht është treguar i rezervuar kur është pyetur se çfarë mendon për çiftet e dala nga shtëpia.
“Unë nuk kam asnjë lloj komenti për çiftet që janë krijuar atje. Gjithsecili sheh jetën e tij, të vazhdojnë të jetojnë të lumtur”, u shpreh ai.
Por moderatoret e çuan bisedën një hap më tej, duke e pyetur nëse do të pranonte të shkonte në dasmën e ndonjërit prej çifteve, në rast se do të merrte një ftesë.
“Po ku di unë, të vijë ftesa, të shohim”, ishte përgjigjja e Mirit.
Kur iu kërkua një përgjigje më e prerë, ai theksoi se nuk mban inate ndaj ish-banorëve dhe se e konsideron veten korrekt në raport me ta.
“Unë jam njerëzor, inate nuk mbaj, jam sjellë çun korrekt. Njerëzit e dinë vetë”, tha këngëtari.
Pyetjet vijuan edhe për mundësinë që ai jo vetëm të merrte pjesë, por edhe të këndonte në një prej dasmave. Miri zgjodhi sërish të mos jepte një “po” apo “jo” përfundimtare, duke shpjeguar se gjithçka do të varej nga situata dhe, mbi të gjitha, nga ftesa.
“Po si mund të shkoj në dasmë pa ardhur ftesa? Duhet me e pa situatën si të vjen”, u shpreh ai, ndërsa me humor shtoi se çfarëdo përgjigjeje të jepte mund të interpretohej keq: “Po thashë unë do të shkoj në dasmë, do thonë ‘ai do të shkojë në dasmë, kush po të fton ty’. Po thashë nuk do të shkoj në dasmë, ‘zbrit se të vrava, hip se të vrava’ ky muhabet”.
Deklarata e Mirit tregon se, të paktën publikisht, ai nuk dëshiron të pozicionohet kundër asnjë prej çifteve të krijuara në BBVIP 5, por njëkohësisht preferon të presë nëse do të ketë realisht ndonjë ftesë dasme.