Dy shtetas shqiptarë janë dënuar në Belgjikë pasi u kapën duke vjedhur në banesën e një fqinji të ndjerë. Ata u zbuluan nga një banor i zonës, i cili njoftoi menjëherë policinë. Në momentin e arrestimit, të dy mbanin doreza, një elektrik dore dhe kishin me vete bizhuteri që i përkisnin banorëve të ndjerë, ndërsa në vendngjarje u konstatuan edhe shenja thyerjeje.
Gjatë procesit gjyqësor, të pandehurit pranuan fajësinë. Avokatja e njërit prej tyre deklaroi se klienti i saj kishte shkuar në Belgjikë për të punuar, por pasi nuk ishte paguar për punën në ndërtim, kishte përfunduar në vështirësi ekonomike dhe kishte kryer vjedhjen së bashku me një mik. Mbrojtja kërkoi një dënim me kusht, duke theksuar se ai nuk kishte precedentë penalë.
Prokuroria kërkoi 18 muaj burg efektiv, por gjykata vendosi një zgjidhje të ndërmjetme. Të dy u dënuan me 18 muaj burg, nga të cilët 12 muaj u pezulluan me kusht, ndërsa 6 muaj do të vuhen efektivisht.