Një 37-vjeçar është arrestuar nga Policia e Durrësit, pasi dyshohet se ka grabitur me forcë xhiron ditore të një dyqani të një kompanie celulare në qytet.
Sipas informacioneve zyrtare, ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:15, në lagjen nr. 16 të Durrësit. Autori dyshohet se ka hyrë në ambientet e dyqanit, ka marrë me forcë shumën prej rreth 100 mijë lekësh të rinj, që përbënte xhiron ditore të biznesit, dhe është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale “Shqiponja”, në bashkëpunim me strukturat e Komisariatit të Policisë Durrës, organizuan punën për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Falë reagimit të shpejtë të policisë, 37-vjeçari u lokalizua dhe u arrestua në lagjen nr. 6 të qytetit, vetëm pak kohë pas grabitjes.
Pamjet e publikuara nga Policia e Shtetit tregojnë momentin e grabitjes, si edhe ndërhyrjen e efektivëve për arrestimin e të dyshuarit.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për dokumentimin e plotë ligjor të rastit, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Njoftimi zyrtar i Policisë:
Durrës
Mori me forcë xhiron ditore në një dyqan të një kompanie celulare, falë reagimit të menjëhershëm të Forcës së Posaçme Operacionale “Shqiponja”, kapet në kohë rekord autori i dyshuar.
Rreth orës 15:15, në lagjen nr. 16, Durrës, shtetasi G. R., 37 vjeç, dyshohet se ka hyrë në një dyqan të një kompanie celulare dhe ka marrë me forcë shumën prej rreth 100 000 lekësh të rinj, që përbënte xhiron ditore të biznesit, duke u larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes.
Pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale “Shqiponja”, në bashkëpunim me strukturat e Komisariatit të Policisë Durrës, organizuan menjëherë punën dhe bënë të mundur lokalizimin dhe kapjen e autorit të dyshuar në lagjen nr. 6, Durrës.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për dokumentimin e plotë ligjor të rastit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.