Vdekja e 35-vjeçares shqiptare Viosana Mane, e cila mbylli sytë pak minuta pasi solli në jetë djalin e saj në Greqi, vijon të jetë në qendër të vëmendjes pasi familjarët kanë ngritur akuza për mjekët grekë.
Bashkëshorti i saj, Eneo Rushita kërkon që të kryhen hetime për stafin mjekësor pasi zbuloi se mjekët e kishin njoftuar se nuk kishte asgjë për t’u shqetësuar në lidhje me gjendjen shëndetësore të Viosanës.
Ndërkohë që papritmas ajo mbylli sytë përgjithmonë, të nesërmen që nga momenti kur bluzat e bardha nuk kishin ngjallur panik.
Sipas burrit të saj, e reja shqiptare vdiq pasi kishte pësuar hemorragji të brendshme, dhe një ditë më pas mushkëritë e saj ishin mbushur me ujë. Megjithatë priten të dalin përgjigjet e analizave që të hidhet dritë mbi tragjedinë.
“Viosana kishte planifikuar një lindje cezariane. Unë kërkoj hetime sepse kishim lindje të planifikuar më datë 24 qershor. Çdo gjë dukej normale në fillim, ma sollën foshnjën dhe më thanë që kishte një hemorragji të brendshme, dhe çdo gjë ishte në kontroll.
Në orën 3 pasdite takoj doktorin dhe më thotë që kishin futur në operacion të dytë dhe i kishin hequr mitrën, pa më kontaktuar. Pas lindjes më thanë që e kishin operuar përsëri dhe duhet t’i hiqnin mitrën pasi kishte pësuar hemorragji. Fillimisht më thoshin që nuk ka gjë për t’u shqetësuar. Të nesërmen në mëngjes ndërroi jetë, mushkëria ishte mbushur me ujë. Presim analizat, nuk kanë dalë ende. Nga autoritetet nuk kemi marrë asnjë përgjigje” tha Eneo Rushita në një lidhje telefonike për “Shqipëria Live”.
Shqiptarja Viosana Mana ishte shtruar në Spitalin e Përgjithshëm të Livadias për një lindje të planifikuar me prerje cezariane. Familjarët janë shprehur se shtatzënia kishte kaluar pa komplikacione dhe pa shqetësime gjatë gjithë periudhës së saj.
Po ashtu, operacioni përfundoi me sukses dhe ajo solli në jetë një djalë të shëndetshëm. Megjithatë, pak orë më pas, gjendja e saj shëndetësore u përkeqësua si pasojë e një hemorragjie të rëndë pas lindjes.
Për rrjedhojë, mjekët ndërhynë menjëherë për të ndalur gjakderdhjen dhe për ta stabilizuar, por për shkak të përkeqësimit të gjendjes u vendos transferimi urgjent në Spitalin “Thriasio” në Athinë, ku u trajtua në repartin e terapisë intensive.
Edhe pse bluzat e bardha u përpoqën që ta mbanin në jetë, komplikacionet e shkaktuara nga humbja e gjakut rezultuan fatale pasi 35-vjeçarja ndërroi jetë.