Një bombol gazi ka shpërthyer mbrëmjen e sotme në një banesë në Markatomaj të Lezhës. Sipas informacioneve paraprake raportohet për 6 persona të lënduar, pjesëtarë të së njëjtës familje.
Ata janë dërguar me urgjencë në spitalin e Lezhës për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Tre prej tyre u dërguan drejt spitalit me auto-ambulanca, ndërsa tre të tjerët u dërguan me automjete private nga fqinjët dhe familjarët e tyre.
Mësohet se tre prej të plagosurve janë në gjendje më të rëndë shëndetësore, pasi kanë pësuar djegie të shumta në trup. Ndërkohë njëri prej tyre, kryefamiljari Saimir Kola, është transportuar me urgjencë drejt Tiranës, për ndihmë më të specializuar dhe ndodhet në rrezik për jetën.
Të dëmtuar nga flakët kanë mbetur edhe dy fëmijë, me plagë të lehta në trup. Bombola e gazit ka qenë jashtë objektit, në pjesën e pasme të shtëpisë. Të gjithë anëtarët e familjes jetonin në Itali dhe kishin ardhur në vendin tonë pasi nesër kishin një dasëm, ku do të martonin vajzën e vëllait.
Forcat zjarrfikëse kanë shkuar në vendngjarje, ndërkohë që nga pamjet duket se shpërthimi i fortë, i cili u dëgjua në të gjithë zonën, ka shkaktuar dëme të shumta materiale në banesën 2 katëshe. Në vendngjarje janë edhe efektivët e Policisë, për të bërë të mundur zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti.