Një ngjarje e rëndë është regjistruar mbrëmjen e djeshme në Himarë, ku një elektriçist i OSHEE, i identifikuar si Bashkim Boçi,ka ndërruar jetë tragjikisht në krye të detyrës.
Burime për mediat kanë bërë me dije se punëtori ka qenë një 55 vjeçar nga Elbasani, ai ishte dërguar për të ndihmuar ekipet e OSHEE në Himarë. Dhe dyshohet se ka humbur jetën teksa po tentonte të rikthente energjinë elektrike gjatë ndërprerjeve të shkaktuara nga moti i keq.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:00, në një kohë kur moti i keq dhe erërat e forta kishin shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike në disa zona të Himarës.
Ende nuk janë sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes, ndërsa dyshimet e para janë se ai mund të jetë goditur nga rryma elektrike.
Grupi hetimor ndodhet në vendin e ngjarjes dhe po punon për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes.