Dy persona janë arrestuar dhe një tjetër është shpallur në kërkim në lidhje me skandalin e helmimit të studentëve në Akademinë e Sigurisë, ku dyshohet se ushqimi i konsumuar nga kursantët ka shkaktuar probleme shëndetësore masive.
Sipas burimeve, në pranga kanë rënë teknologia Kristiana Plaka dhe kuzhinieri i kompanisë së kateringut “SORI-AL” Kujtim Ballgjini. Kompania është në pronësi të Nikolin Jakës, e cila siguronte ushqimin për studentët në tre vakte ditore. Ndërkohë, administratorja e kompanisë Alma Tafani është shpallur në kërkim nga policia.
Studentët e prekur kanë shfaqur simptoma të forta si të vjella, dhimbje barku dhe gjendje të rënduar shëndetësore. Ata janë transportuar menjëherë në spital, ku kanë marrë trajtim mjekësor, përfshirë serume, dhe më pas janë larguar në gjendje të stabilizuar.
Hetimet po vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të përcaktuar përgjegjësitë ligjore të kompanisë “SORI-AL” dhe personave të përfshirë në furnizimin me ushqim.
Autoritetet pritet të analizojnë mostrat e ushqimit dhe kushtet e përgatitjes, ndërsa nuk përjashtohet mundësia e shkeljeve të rënda të standardeve të sigurisë ushqimore.
Njoftimi i Policisë
TiranëDje, janë dërguar për ndihmë mjekësore në Repartin Infektiv të QSUT-së, 56 studentë të Akademisë së Sigurisë, të cilët dyshohet se janë helmuar pas konsumimit të ushqimit në ambientet e Akademisë së Sigurisë. Të gjithë studentët morën ndihmën e nevojshme mjekësore dhe kanë dalë nga spitali, në gjendje të mirë shëndetësore. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1, në vijim të veprimeve hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, për këtë rast: -arrestuan në flagrancë shtetasit K. B., 52 vjeç dhe K. P., 23 vjeçe, me detyra respektive kuzhinier dhe teknologe ushqimi në kompaninë e kontraktuar për të ofruar ushqim në Akademinë e Sigurisë; -referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen R. Ç., 35 vjeçe, me detyrë teknologe ushqimi në këtë kompani; -shpallën në kërkim administratoren e kompanisë, shtetasen A. T., 52 vjeçe. Punohet për kapjen e shtetases A. T., individualizimin dhe dokumentimin e përgjegjësisë penale të shtetasve të përfshirë në këtë rast. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprën penale “Importimi, prodhimi, shitja dhe ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve”.