Koncerti i Kanye West është shtyrë në Almaty të Kazakistanit vetëm pak përpara se artisti amerikan të dilte në skenë, ndërsa qyteti u përball me një ndërprerje masive të energjisë elektrike dhe mot të keq.
Koncerti ishte planifikuar të zhvillohej mbrëmjen e sotme, por organizatorët njoftuan shtyrjen e tij për të nesërmen, duke përmendur “shqetësime për sigurinë”.
Vendimi erdhi ndërsa Almaty po përballej me ndërprerje të energjisë elektrike. Shërbimet e qytetit kaluan në gatishmëri të shtuar për shkak të problemeve në shkallë të gjerë me furnizimin.
Si pasojë e defektit, zona jugore e Sistemit të Unifikuar Energjetik të Kazakistanit dhe Sistemi i Unifikuar Energjetik i Azisë Qendrore u shkëputën nga njëri-tjetri dhe nisën të funksiononin në mënyrë të izoluar.
Sipas të dhënave paraprake të operatorit KEGOC, ndërprerja u shkaktua nga një rritje e menjëhershme e tensionit që erdhi nga sistemi energjetik i Azisë Qendrore.
Situatën e rëndoi edhe moti i keq. Reshje të dendura shiu goditën Almaty-n disa orë përpara nisjes së planifikuar të koncertit.