Një çift britanik i sapomartuar është mes viktimave nga rrëzimi i helikopterit privat në ishullin grek të Sifnos, pasditen e së hënës. Ata ishin nga Londra dhe në Greqi po festonin muajin e mjaltit, i cili fatkeqësisht është mbyllur me një fund tragjik.
Helikopteri me te cilin ata po udhëtonin nga Athina për në ishullin Sifnos u rrëzua pak çaste para uljes. Policia greke ka konfirmuar se Alexander Cromie dhe Marie Ebert humbën jetën në vendngjarje.
Piloti Giorgos Raikos, i cili po transportonte çiftin me helikopterin e tij privat kur ndodhi rrëzimi, gjithashtu vdiq. Ai ishte një pilot që shërbente dhe në Forcat Ajrore të Greqisë dhe kishte përvojë në fluturim, ndaj dyshimet janë për defekt teknik dhe jo gabim nga piloti.
Pamjet e kamerave të sigurisë aty pranë kapën momentin kur helikopteri filloi të bënte një zhurmë të fortë përpara se të dilte nga kontrolli dhe të përplasej në një kodër aty pranë.
Një zjarr i madh shpërtheu menjëherë pas rrëzimit të helikopterit, por nuk u raportua për viktima të tjera në tokë, përveç çiftit britanik që ishte në muajin e mjaltit dhe pilotit që kishte marrë përsipër udhëtimin e tyre nga Athina.
Kryetarja e bashkisë së Sifnos, Maria Nadali, tha: “Kjo është një ngjarje tronditëse. Jemi të tronditur dhe po përpiqemi të menaxhojmë, së bashku me shërbimet e duhura, pasojat e këtij incidenti pranë platformës së uljes së helikopterëve.”