Reperi dhe personazhi i njohur i TikTok-ut, Kleviol Ahmeti, i njohur ndryshe si “Clevio”, është paraqitur mesditën e kësaj të enjteje në ambientet e Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO).
Burime bëjnë me dije se thirrja e tij lidhet me hetimet për vendosjen e tritolit në një prej bizneseve të reperit Noizy, ngjarje për të cilën kanë dalë detaje të reja nga dëshmia e të penduarit të drejtësisë, Artan Tafani.
Ish-anëtari i bandës së Laert Haxhiut ka deklaruar para autoriteteve se vendosja e lëndës plasëse është kryer me urdhër të Haxhiut, pasi, sipas tij, një veprim i tillë ishte kërkuar nga nëna e Haxhiut pas konfliktit të mëparshëm mes Clevios dhe Noizyt në Durrës.
Ndërkohë, lidhur me të njëjtën çështje, dy javë më parë në GJKKO dëshmoi edhe vetë Noizy, së bashku me babanë e tij, Bashkim Rajku.
Hetimet për ngjarjen vijojnë, ndërsa autoritetet po verifikojnë dëshmitë dhe lidhjet e mundshme të personave të përfshirë në çështje.