Kryeministri Edi Rama ka bërë deklarata të forta nga samiti i mbajtur në Tivat të Malit të Zi, ku po zhvillohen takime mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Europian.
Duke komentuar protestat e fundit të zhvilluara në Tiranë për çështjen e Zvërnecit, Rama deklaroi se pas tyre nuk qëndrojnë vetëm shqetësime mjedisore, por sipas tij bëhet fjalë për një “luftë hibride”.
“Pas protestës janë iranianët, që kanë qenë edhe herë të tjera të përfshirë në sulme. Keni parë video false nga Tirana”, është shprehur Rama për mediat e huaja.
Sipas kreut të qeverisë, projekti për Zvërnecin nuk është ai që po pretendohet publikisht dhe aktualisht nuk ekziston asnjë projekt i miratuar.
“Atje nuk është çështje mjedisore, është luftë hibride. Projekti në Zvërnec nuk është ai që është folur. S’ka asgjë për të diskutuar, sepse s’ka asnjë projekt të miratuar”, deklaroi ai.
Deklaratat e Ramës kanë shkaktuar reagime të shumta në rrjetet sociale, sidomos pas protestave masive të ditëve të fundit në kryeqytet kundër projektit të shumëdebatuar në zonën e Zvërnecit.