Personi që shihni në foto është 24-vjeçari Ylber Luli, i cili mbeti i vrarë pas të shtënave me armë zjarri në Shkodër.
Ngjarja ndodhi rreth orës 05:30, në lagjen “Kongresi i Përmetit”, ku Andri Vulaj, 25 vjeç, qëlloi me armë zjarri Qamil Lulin, 63 vjeç, dhe djalin e tij, Ylber Lulin, 24 vjeç. I plagosur mbeti me thikë edhe Andri Vulaj.
Të tre të plagosurit u transportuan në spital për ndihmë mjekësore, por Ylber Luli, 24 vjeç, nuk mundi tu mbijetojë plagëve dhe ndërroi jetë.
Pas ngjarjes, shërbimet e Policisë ndërhynë në vendngjarje dhe bënë të mundur kapjen dhe shoqërimin e Andri Vulajt.
Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale u gjet dhe sekuestrua një pistoletë, e cila dyshohet se është përdorur gjatë konfliktit.
Sakaq, grupi hetimor po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndërsa pritet të përcaktohen përgjegjësitë e secilit prej personave të përfshirë.