Screenshot
Pas lajmit të publikuar nga Piranjat, ku u denoncua një histori e rëndë që përfshin emrin e tij, ka reaguar publikisht edhe Fisnik Syla përmes një Instastory në rrjetet sociale.
Në reagimin e tij, Syla u drejtohet drejtpërdrejt portaleve dhe televizioneve, duke i akuzuar se po bien pre e mashtrimeve dhe po publikojnë lajme të pavërteta në emrin e tij. Ai shprehet se është “për të ardhur keq” mënyra se si, sipas tij, disa gazetarë i referohen personave anonimë dhe profileve të rreme, duke i cilësuar këto veprime si “viktimizuese dhe jomorale”.
Syla thekson se në rrjetet sociale ekzistojnë qindra profile false me emrin e tij, të cilat përdoren nga persona të ndryshëm për përfitime personale. Ai paralajmëron gjithashtu për përdorimin e inteligjencës artificiale në manipulimin e zërit dhe imazheve, duke sugjeruar se përmbajtjet që qarkullojnë mund të jenë të fabrikuara.
Në mesazhin e tij, ai mohon çdo përfshirje në rastin e publikuar dhe sqaron se nuk ka asnjë lidhje me personat e përmendur në histori, përfshirë edhe emra të tjerë që janë përmendur në media. Ai shton se çdo ndihmë që jep, e bën nga xhepi i tij dhe jo përmes fondacioneve apo skemave të tjera.
Syla nuk kurseu as kritikat ndaj mediave, duke theksuar se përfitimi nga klikimet në emrin e tij “nuk është mënyra e duhur”, ndërsa u bëri thirrje portaleve dhe individëve që të mos abuzojnë me identitetin e tij.
Në fund të reagimit, ai paralajmëron se kjo është hera e fundit që merret me këtë çështje dhe se çdo shpifje apo abuzim i mëtejshëm do të ndiqet ligjërisht.
