Këto pamje madhështore vijnë nga Mali i Arafatit në lindje të Mekës.
Pelegrinazhi vjetor i Haxhit ka nisur zyrtarisht të hënën në Mekë të Arabisë Saudite, qytetin më të shenjtë për besimtarët myslimanë. Autoritetet saudite bëjnë të ditur se mbi 1.5 milion pelegrinë nga vende të ndryshme të botës kanë mbërritur tashmë për të marrë pjesë në ritualet fetare.
Ceremonitë e këtij viti zhvillohen në një klimë tensionesh dhe pasigurie rajonale, në sfondin e armëpushimit të brishtë mes Iranit dhe kundërshtarëve të tij në Lindjen e Mesme. Pavarësisht situatës, fluksi i besimtarëve drejt Mekës ka qenë i lartë që në ditët e para të pelegrinazhit.
Në ditën e parë të Haxhit, mijëra pelegrinë janë mbledhur në kampin gjigant me tenda në zonën e Mina-s, pranë Mekës. Para kësaj, besimtarët kanë kryer ritualin e rrethimit të Qabes në Xhaminë e Madhe, mes temperaturave të larta dhe masave të rrepta të sigurisë.