Screenshot
Një tragjedi e rëndë ka goditur familjen Duraku. 20-vjeçari Ledri Duraku, i cili dyshohet se humbi jetën pasi u mbyt në Liqenin e Komanit, është përcjellë sot për në banesën e fundit.
Dhimbjen e jashtëzakonshme e ka shprehur publikisht edhe babai i të riut, Afrim Duraku, i cili i ka kushtuar të birit disa fjalë rrëqethëse.
“Biri im, largimi yt ma ka copëtuar zemrën. Nuk ka fjalë që e përshkruajnë dhimbjen që e ndjej. Ti do të mbetesh përgjithmonë krenaria ime dhe drita e zemrës sime. Edhe pse nuk je më pranë meje, kujtimet për ty do të jetojnë përgjithmonë. Pusho në paqe, biri im i dashur. Do të më mungosh deri në frymën time të fundit. Ylli i babit”, shkruan ai.

Tragjedia bëhet edhe më prekëse nga një postim i bërë vetëm pak javë më parë. Më 2 korrik, në ditëlindjen e Ledrit, babai e uronte të birin me fjalët: “Urime ditëlindjen, djali im. U rritsh me fat, shëndet dhe zemër të mirë në çdo hap të jetës.”

Pak më shumë se një muaj më vonë, urimi për një jetë të gjatë është zëvendësuar nga një mesazh lamtumire.
Sipas njoftimit mortor të familjes, Ledri Duraku u përcoll për në banesën e fundit këtë të premte, 28 gusht, në varrezat e qytetit në Gjakovë.

Për humbjen e tij ka reaguar edhe shkolla ku Ledri kishte qenë nxënës, SHMLT “Nexhmedin Nixha”, duke shprehur pikëllimin për ndarjen e parakohshme nga jeta të 20-vjeçarit dhe ngushëllimet për familjen, të afërmit dhe miqtë e tij.
Një ditëlindje, një urim i një babai për të ardhmen e të birit dhe, vetëm pak javë më vonë, një lamtumirë që askush nuk do të donte ta shkruante.