Në të gjithë vendin nis sot viti i ri shkollor 2026-2027, duke rikthyer në bankat e shkollës mbi 340 mijë nxënës. Për rreth 25 mijë fëmijë, kjo ditë është edhe më e veçantë, pasi ulen për herë të parë në bankat e klasës së parë.
Viti i ri mësimor nis me disa ndryshime dhe investime në sistemin arsimor. Tekstet shkollore janë shpërndarë në shkollat e vendit, ndërsa këtë vit i gjithë cikli fillor, nga klasa e parë deri në të pestën, pajiset me tekste të reja dhe falas.
Një tjetër pikë ku është përqendruar vëmendja është siguria në shkolla. Mbi 400 oficerë sigurie do të jenë në shërbim të nxënësve gjatë këtij viti, ndërsa 900 psikologë dhe punonjës socialë do të ofrojnë mbështetje për nevojat sociale dhe emocionale të fëmijëve.
Në Tiranë, 20 shkolla janë përfshirë në projektin pilot “Smart City”, që parashikon masa të shtuara sigurie përmes përdorimit të kamerave inteligjente.
Risi është edhe zgjerimi i programit “Pas shkolle”, ku për herë të parë përfshihen 408 shkolla në të gjithë vendin. Nxënësit do të kenë mundësi që pas përfundimit të mësimit të marrin pjesë në aktivitete të ndryshme, nga ndihma për detyrat e shtëpisë te muzika, teatri, kërcimi, zejet dhe artet pamore.
Kështu nis një tjetër vit i gjatë mësimor për qindra mijëra fëmijë, mësues dhe familje, ndërsa emocionet më të mëdha këtë mëngjes u përkasin padyshim 25 mijë vogëlushëve që kalojnë për herë të parë pragun e shkollës.