Screenshot
Një koment për mungesën e ujit është kthyer në një përplasje të pazakontë në rrjetet sociale mes një qytetari dhe kryetarit të Bashkisë Shijak, Elton Arbana.
Gjithçka nisi poshtë një postimi të kryebashkiakut, ku qytetari ngriti një shqetësim që lidhet me furnizimin me ujë në banesën e tij.
“Na sill ujin te shtëpia, se po lahemi me kazan”, i shkroi ai Arbanës.
Por në vend të një përgjigjeje për problemin e ngritur apo një sqarimi se kur mund të normalizohej furnizimi, kryebashkiaku zgjodhi të reagonte ndaj mënyrës se si qytetari iu drejtua.
“Flit mirë o miko, se s’je duke fol me ato që je mësuar”, ishte përgjigjja e Arbanës.
Më tej, kryebashkiaku shtoi:
“Ah, s’ke faj ti mor xhaxh, se e di unë ç’a do ti.”
Dhe kështu, nga një pyetje për ujin, debati përfundoi te mënyra se si duhet t’i drejtohet një qytetar kryebashkiakut.

Kryetari i bashkisë nuk është aty që qytetarët t’i drejtohen me frikën se mos përdorin fjalën e gabuar. Është aty, mes të tjerash, për t’u përballur edhe me pakënaqësitë e tyre.
Qytetari mund të jetë i drejtpërdrejtë, mund të jetë i irrituar dhe mund të mos përdorë gjuhën më elegante të mundshme. Por “na sill ujin se po lahemi me kazan” nuk është një fyerje që shpjegon shmangien e problemit. Është një ankesë.
Sepse mandati i një kryebashkiaku nuk është privilegj që kërkon nderim. Është përgjegjësi publike që kërkon llogaridhënie.
Nëse një banor ankohet se lahet me kazan, institucioni duhet të shpjegojë pse. Nëse pretendimi nuk është i vërtetë, le ta sqarojë me fakte. Nëse është i vërtetë, le të tregojë çfarë po bën për ta zgjidhur.
Në fund, qytetarët e Shijakut nuk kanë zgjedhur një kryetar bashkie për t’u mësuar si t’i shkruajnë në rrjete sociale. E kanë zgjedhur për të administruar qytetin dhe për t’u dhënë përgjigje kur shërbimet nuk funksionojnë.