Screenshot
Reperi i njohur Mozzik ka reaguar ashpër pas pjesëmarrjes së tij në Marshin për Liri në Prishtinë, të organizuar në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, reperi ka treguar se pasi është kthyer në shtëpi ka lexuar komentet e bëra në disa artikuj që raportonin për pjesëmarrjen e tij në marsh. Sipas Mozzik, mes tyre kishte edhe shumë ofendime që preknin jo vetëm atë, por edhe familjen e tij.
“M’u kish sha nana, gruaja, vajza, familja e fisi, veç pse dola në marsh”, shkruan reperi.
Mozzik pretendon se, pasi ka kontrolluar profilet e personave që kishin bërë komentet, ka konstatuar se shumë prej tyre ishin llogari të rreme. Ai i ka lidhur këto reagime me njerëz që, sipas tij, nuk e mbështetën marshin.
“Këta janë pikërisht ata që nuk dolën në protestë. Këta janë e keqja e këtij vendi. Këta janë pjellë e Beogradit”, shkruan ndër të tjera Mozzik, duke përdorur tone të forta ndaj kritikëve të tij.
Reperi ka reaguar gjithashtu ndaj atyre që, sipas tij, janë kundër luftës së UÇK-së, duke u kërkuar të mos rreshtohen përkrah mbështetësve të saj.
“Largohuni prej rreshtit tonë. Nuk na duheni as sot me u rreshtu me ne. Nuk jeni rreshtu kurrë me ne, e as nuk keni me u rreshtu kurrë”, vijon ai.
Në reagimin e tij, Mozzik përmend edhe vuajtjet e familjeve shqiptare gjatë konfliktit me Serbinë dhe e mbyll postimin me homazh për dëshmorët.
Vëmendje ka marrë edhe referenca e tij ndaj 16 shtatorit, datë për të cilën reperi shpreh shpresën se do të sjellë një zhvillim që, sipas tij, “historia s’do ta harrojë kurrë”.
