Një stuhi e fuqishme ka përfshirë bregun lindor të Shteteve të Bashkuara, duke shkaktuar përmbytje masive, ndërprerje të energjisë elektrike dhe kaos në transport pikërisht gjatë festës së Falënderimeve.
Situata është veçanërisht problematike në Nju Jork, Nju Xhersi dhe Konektikat, ku reshjet intensive dhe erërat e forta kanë krijuar kushte të rrezikshme. Në zonën e Rockaways, në Queens të Nju Jorkut, uji ka përmbytur banesa dhe automjete, ndërsa ekipet e zjarrfikësve kanë ndërhyrë për të ndihmuar banorët e bllokuar.


Mbi 650 mijë familje kanë mbetur pa energji elektrike në disa shtete të bregut lindor, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se rikthimi i energjisë mund të kërkojë edhe disa ditë, për shkak të dëmeve dhe kushteve të vështira për ekipet e emergjencës.
Guvernatorët e Nju Jorkut dhe Nju Xhersit kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në disa zona, ndërsa moti ekstrem ka detyruar anulimin e qindra fluturimeve dhe ka shkaktuar vonesa të shumta në aeroporte. Vetëm të enjten u anuluan 460 fluturime, ndërsa më shumë se 2,500 të tjera pësuan vonesa.

Stuhia ka goditur gjithashtu zona të tjera të vendit. Në Kaliforni, baticat e larta kanë shkaktuar përmbytje përgjatë vijës bregdetare, ndërsa disa shërbime hekurudhore janë anuluar për shkak të kushteve të rrezikshme.
Mbi 80 milionë amerikanë pritej të udhëtonin gjatë kësaj jave për festat, por moti i pazakontë ka vënë në vështirësi planet e tyre, duke e kthyer një nga periudhat më të ngarkuara të udhëtimeve në një situatë kaotike.