Në protestën e zhvilluar sot para Kryeministrisë, ka qenë i pranishëm edhe zëvendës-Presidenti i Parlamentit Europian, Nicolae Ștefănuță.
Ștefănuță kishte vendosur edhe një qeleshe të pikturuar me flamurin kombëtar shqiptar në kokë.
Duke folur për zhvillimet politike të viteve 1990 në Rumani, me rrëzimin e diktatorit Nikola Çaushesku, Ștefănuță tha se shqiptarët nuk kanë arsye pse ta durojnë më ‘diktaturën’ dhe korrupsionin.
“Mirëmbrëma Shqipëri! Jam zv.president i PE-së, por jam biri i një bariu që ka rritur dele në Rumani. Këtu ndihem në Shqipëri, Shqipëria është kombi ynë motër. Isha 9 vjeç kur pashë Çausheskun të bjerë nga qeveria. Ju duhet të prisnit edhe pak që të binte Enver Hoxha. Por nuk keni pse duroni diktaturën më, mjaft me tranzicion, mjaft me korrupsion”, deklaroi Ștefănuță.
Ștefănuță theksoi gjithashtu se protestuesit janë në anën e duhur të historisë, teksa shtoi se kryeministri Rama është i frikësuar përballë qytetarëve.
“Pse janë evropianët këtu dhe pse nuk është Edi Rama këtu? Ndoshta ka frikë! Nëse ai ka frikë, ju nuk duhet të keni frikë. Mbani mend, rruga mund të jetë e gjatë, por ju jeni në anën e duhur të historisë. Jam krenar të vesh këtë qeleshe dhe shpresoj që të jetë në BE një ditë”, shtoi ai.