Erjon Vishkulli ka kaluar me sukses ndërhyrjen kirurgjikale në klinikën “Gemelli” në Romë. Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Shëndetësisë, Klodiana Spahiu, përmes një postimi në rrjetet sociale.
Sipas ministres, operacioni i kryer nga profesori italian Stanislao Rizzo ka bërë të mundur ruajtjen e organit të syrit të të riut. Spahiu ka shprehur mirënjohjen për mjekun, duke vlerësuar profesionalizmin, përkushtimin dhe ndjeshmërinë e tij njerëzore.
Ajo ka njoftuar gjithashtu se qeveria shqiptare ka miratuar mbështetjen financiare për Erjonin.
Në mesazhin e saj, ministrja ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe humanizmit në përballimin e situatave të tilla, ndërsa i ka uruar të riut shërim të mbarë dhe forcë për hapat që e presin.
Spahiu ka sqaruar se suksesi i operacionit është një hap i rëndësishëm, por rrugëtimi drejt rikthimit të shikimit do të vijojë. Ajo ka përcjellë edhe përgëzime për familjen dhe miqtë që i kanë qëndruar pranë Erjonit.