Marshimi i protestuesve drejt Aeroportit “Nënë Tereza” në orët e vona të natës ka sjellë debate të forta në rrjetet sociale dhe përplasje mes pjesëmarrësve në lëvizje.
Fillimisht reagoi Gent Progni, i cili deklaroi se një grup protestuesish kishte tentuar të devijonte nga thirrjet e organizatorëve duke kërkuar përplasje me policinë. Në një postim në rrjetet sociale ai shkroi se ishin identifikuar persona që, sipas tij, po përpiqeshin të prishnin protestën.
Pak më vonë, Progni publikoi edhe një video ku pretendonte se një prej protestuesve ishte prezantuar si efektiv policie dhe po nxiste tensione me forcat e rendit.
Por ndaj këtyre akuzave ka reaguar vetë personi i përmendur nga Progni. Përmes një mesazhi dhe më pas një deklarate publike në rrjetet sociale, ai mohon kategorikisht të ketë lidhje me Policinë e Shtetit.
“Sa për informacion, as jam prezantuar si polic, as kam lidhje me policinë. Aktivizmin tim modest e kam nisur shumë më herët se sa Genti të kujtohej për shqetësimet e përbashkëta”, shkruan ai.
Më tej, protestuesi akuzon Prognin se po përpiqet të monopolizojë protestën dhe fjalën e qytetarëve.
“S’do ta lejojmë monopolin e fjalës. Njerëzit nuk kanë nevojë të drejtohen nga dikush, por janë bashkuar vetë nga revolta ndaj padrejtësive”, shprehet ai, duke shtuar se protestat nuk duhet të përdoren për interesa personale apo protagonizëm.


Reagimi i tij ka ndezur më tej debatin në rrjet, ndërsa duket se brenda vetë protestuesve po shfaqen qëndrime të ndryshme mbi mënyrën se si duhet të organizohen dhe drejtohen tubimet qytetare. Konflikti verbal mes palëve ka tërhequr vëmendjen e ndjekësve në rrjetet sociale, ndërsa diskutimet vijojnë edhe pas përfundimit të marshimit drejt Rinasit.