Ndërsa një pjesë e madhe e mediave shqiptare i kanë kushtuar pak hapësirë protestave kundër projektit turistik në Zvërnec dhe Sazan, jehona e tyre ka kaluar kufijtë e vendit. Gjatë ditëve të fundit, mijëra qytetarë janë mbledhur në Tiranë për të kundërshtuar projektin miliardë dollarësh të lidhur me investitorin amerikan Jared Kushner, dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump gjithashtu edhe për pakënaqësitë që populli ka ndaj qeverisjes së vendit. Protesta, e njohur tashmë si “Revolucioni Flamingo”, ka tërhequr vëmendjen e mediave më prestigjioze ndërkombëtare.
Pamjet e flamingove rozë, pankartat me mesazhin “Albania is not for sale” dhe turmat e mëdha të protestuesve janë transmetuar nga media si Reuters, The Guardian, The New York Times, CNN dhe Al Jazeera, duke e kthyer Shqipërinë në një nga temat më të diskutuara të ditëve të fundit në arenën ndërkombëtare.
Sipas raportimeve ndërkombëtare, protesta ka lindur si reagim ndaj planeve për ndërtimin e një resorti luksoz pranë zonës së mbrojtur të Vjosë-Nartës, një habitat i njohur për flamingot, breshkat detare dhe specie të tjera të rralla. Aktivistët dhe qytetarët argumentojnë se projekti rrezikon një nga pasuritë më të rëndësishme natyrore të vendit dhe kërkojnë ndalimin e menjëhershëm të punimeve.
Ajo që e bën këtë lëvizje të veçantë është fakti se nuk po tërheq vetëm ambientalistë, por edhe qytetarë të thjeshtë, artistë, aktivistë dhe shqiptarë nga diaspora, të cilët shohin te kjo kauzë një betejë për transparencë, trashëgiminë natyrore dhe të ardhmen e vendit. Në shumë raportime ndërkombëtare, protesta është përshkruar si një nga mobilizimet qytetare më të mëdha të viteve të fundit në Shqipëri.
Ndërkohë që debati vazhdon brenda vendit, një gjë duket e qartë: bota po e sheh Shqipërinë. Nga Reuters te CNN, nga The Guardian te The New York Times, protestat e “Revolucionit Flamingo” kanë arritur të bëjnë atë që pak lëvizje qytetare kanë mundur më parë ta vendosin Shqipërinë në qendër të vëmendjes ndërkombëtare. Për shumë protestues, kjo nuk është thjesht një betejë për një lagunë apo një projekt turistik, por një thirrje që zëri i qytetarëve të dëgjohet përtej kufijve, për keqqeverisjen e vendit prej 35 vitesh.