Një ngjarje e rëndë është shënuar mesditën e kësaj të enjte në qendër të Podujevës, ku një përleshje me armë zjarri ka lënë të plagosur katër persona, mes tyre edhe një kalimtar të rastit.
Sipas të dhënave paraprake, të shtënat ndodhën rreth orës 13:40 në sheshin “Bulevardi i Dëshmorëve”, ku tre persona u përfshinë në një konflikt që degradoi në përdorimin e armëve.
Nga hetimet e para dyshohet se personat e përfshirë kanë lidhje familjare, konkretisht dajë dhe nip, ndërsa motivi lidhet me një mosmarrëveshje të mëhershme.
Të plagosurit u transportuan në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku po marrin ndihmën mjekësore.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë njësitë e Policisë së Kosovës dhe prokurori kujdestar, të cilët kanë nisur hetimet. Rasti po hetohet si “vrasje e rëndë në tentativë”, ndërsa autoritetet vijojnë punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.