Disa SMS, që pretendohet se i përkasin një bisede mes punonjësve të Policisë së Shtetit dhe një personi të identifikuar si “shef Munir Shira”, po qarkullojnë me shpejtësi në TikTok dhe rrjetet sociale, duke ngjallur debat.
Në komunikimet e publikuara, personi që shfaqet me emrin “Munir Shira” u kërkon efektivëve të jenë më të ashpër në vendosjen e masave administrative ndaj drejtuesve të mjeteve që shkelin rregullat e parkimit.
Në një prej mesazheve thuhet: “Masa të jenë 30 mijë lekëshe. Ju u dhimbsen njerëzit, u vendosni 10 dhe 20 mijëshe. Që nga ky moment gjeta mjete në rrugë afër rrethit pa masa 30 mijë lekëshe, polici nuk do të rrijë në punë këtu.”

Në një tjetër komunikim, efektivëve u kërkohet të mos largohen nga pikat e caktuara të shërbimit pa urdhër dhe paralajmërohen se do të mbajnë përgjegjësi nëse konstatohen shkelje. Po ashtu, përmendet se patrullat do të kontrollohen edhe përmes videove nga terreni dhe se moszbatimi i urdhrave mund të sjellë masa disiplinore.
Pamjet tregojnë se shumica e përgjigjeve të punonjësve janë të shkurtra, kryesisht me fjalën “Ok”.





Megjithatë, deri në këtë moment nuk ka asnjë konfirmim zyrtar nga Policia e Shtetit për autenticitetin e këtyre mesazheve. Gjithashtu, nuk dihet se kur janë zhvilluar këto komunikime, nëse janë reale, të plota apo të nxjerra jashtë kontekstit.
Ndërkohë, emri i Munir Shirës është përmendur edhe më herët në raportime mediatike. Sipas lajmeve të publikuara në vitin 2012, Komisioni i Apelimit të Masave kishte vendosur përjashtimin nga Policia të kryekontrollorit Munir Shira dhe disa kontrollorëve të tjerë.