Shefi i Reanimacionit në Spitalin Rajonal të Vlorës, Edmond Breshanaj, ka dhënë detaje për gjendjen e personave të plagosur nga zjarri që përfshiu hotel “Brooklyn” në Lungomare, gjatë orëve të para të mëngjesit.
Breshanaj tha se situata ka qenë emergjente, ndërsa në spital janë paraqitur gjashtë pacientë të dëmtuar nga ekspozimi ndaj zjarrit dhe tymit.
Sipas tij, disa prej tyre kishin pësuar djegie të rënda, ndërsa dy persona u dëmtuan pasi u hodhën nga kati i dytë i godinës.
“Ishte situatë shumë emergjente, ishin 6 pacientë të dëmtuar nga ekspozimi. Ishin në katin e dytë. 3 ishin të djegur rëndë dhe 2 ishin hedhur nga kati i dytë, kishin pësuar fraktura të kolonës”, deklaroi mjeku.
Ai shpjegoi se dy prej pacientëve u nisën drejt Qendrës së Traumës në Tiranë, ndërsa tre të tjerë u trajtuan në repartin e djegieve.
“Dy prej tyre i nisëm në Qendrën e Traumës sepse s’kishin djegie dhe 3 në repartin e djegieve plasitkes ne Tirane. Patëm lajmërim të të gjithë ekipit, ishin të gjithë në gatishmëri. Kanë mbërritur rreth orës 4 e gjysmë”, tha Breshanaj.
Gjendja e një prej pacientëve paraqitet veçanërisht e rëndë. Sipas shefit të Reanimacionit, një paciente kishte pësuar djegie në pothuajse 100% të trupit, ndërsa një tjetër ishte djegur në masën 50%.
“Një paciente që rrezikon jetën ishte djegur pothuajse 100%, një 50%. Ishin mosha të reja, 25-30 vjeç. Ishin nga Prishtina, Lipjani dhe njëri pacient nga Rrësheni”, u shpreh ai.
Kujtojme se zjarri përfshiu një godinë në zonën e Lungomares, ku në katin e parë ndodhej një lokal, ndërsa në katin e dytë hoteli “Brooklyn”.
Për shkak të flakëve dhe tymit të dendur, disa prej pushuesve u detyruan të dilnin nga dritaret për t’i shpëtuar zjarrit.